Krasniqi anulon thirrjen për financimin e disa projekteve të komunave në vlerë mbi 1 milion e 475 mijë euro

Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi sot mori vendim për anulimin e thirrjes në kuadër të programit komunal për zhvillim të infrastrukturës socio-ekonomike dhe bashkëpunim ndër-komunal në vlerë prej 1,475,888.44 euro.

Sipas një njoftimi për media, ky vendim vjen si pasojë që kjo thirrje nuk ka përcaktuar kritere mjaftueshëm të qarta që do të mundësonin përzgjedhjen objektive të përfituesve, nuk është mundësuar që subjektet aplikuese të kenë pozitë të barabartë gjatë procesit të aplikimit dhe të përzgjedhjes, nuk janë përcaktuar kritere të drejta si dhe nuk është mundësuar sigurimi i interesit publik dhe shpenzimi efektiv i parasë publik.

“Në këtë vit është vendosur që një pjesë nga ky fond në koordinim të ngushtë me institucionet relevante të shkojë për përballimin me efektet e pandemisë. Gjithashtu mjetet nga ky program do të orientohen në investimet për projekte që u mundësojnë qasje personave me nevoja të veçanta në institucionet publike, komuniteteve, programeve për qeverisje të mirë dhe programeve sociale të zbatuara nga organizatat e shoqërisë civile ne nivelin lokal”, thuhet më tej.

Në fund Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se garanton integritet, barazi, transparencë dhe efikasitet të zbatimit të këtij programi.