Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: 1 Maji i gjeti punëtorët në një krizë me shumë sfida dhe pa ndonjë përgjigje nga Qeveria

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka deklaruar se 1 maji i këtij viti i ka gjetur punëtorët e sektorit privat dhe ata të sektorit publik në një krizë me shumë sfida dhe, sipas tij, ende pa ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Krasniqit, mos miratimi i Ligjit të Pagave dhe rritja “jodinjitoze” e pagës minimale është tregues i qartë se qeveria aktuale “nuk ka vizion zhvillimor për vendin”.

“Të gjithë punëtorët e Kosovës pa dallim, nga bujku që bukën e gojës e fiton me djersën e ballit e deri tek mësuesit tanë që për shumë vite arsimuan breza të rinjsh pa asnjë kompensim, sot meritojnë urimet më të mira në Ditën Ndërkombëtare të Punës. Megjithatë, 1 Maji i këtij viti, i ka gjetur punëtorët e sektorit privat dhe ata të sektorit publik në një krizë me shumë sfida dhe ende pa ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës. Mos miratimi i Ligjit të Pagave dhe rritja jodinjitoze e pagës minimale për të përballuar shtrenjtimet e mëdha të çmimeve, është tregues i qartë se qeveria aktuale nuk ka vizion zhvillimor për vendin”, ka thënë Krasniqi në rrjetin e tij social “Facebook”.

Ai thotë se miratimi i ligjeve bazike për punëtorët dhe të drejtat e tyre, është minimumi që qeveria e Kosovës duhet të bëjë, ndërsa shton se rritja e pagave konform krizës së madhe, është detyrim institucional.

“Pndemia dhe rritja e çmimeve të të gjitha produkteve, sot e kanë bërë më të vështirë jetën e familjeve kosovare”, ka shkruar lideri i PDK-së.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve është përcjellur me protesta dhe kritika ndaj Qeverisë Kurti nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat.

1 Maji është dita që në të gjithë botën i kushtohet punëtorëve.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.