Krasitja pa kritere, arsyeja e dëmtimit të drunjëve 30 vjeçar në sheshin e Podujevës

Komuna e Podujevës në kuadër të realizimit të projektit “Ndërtimi i bulevardit dhe sheshit të Dëshmorëve”,  ka hapur diskutim publik për largimin  e drunjve përgjatë rrugës “Zahir Pajaziti”.

Sipas banorëve drunjtë të cilët gjenden në pjesën ku po planifikohet të ndërtohet sheshi janë të vjetër rreth 30 vite.

Por, zyrtar nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë për KALLXO.com se vjetërsia e këtyre drunjve është vështirë e matshme.

Naser Krasniqi, udhëheqës i Sektorit për Inventarizim dhe Plane Menaxhuese nga Drejtoria për Menaxhim me Pyje, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nga ana profesionale matja e vjetërsisë së këtyre drurëve është e pamundur, kjo për shkak të dëmtimit të tyre.

Sipas Krasniqit ndër arsyet kryesore të këtyre dëmtimeve janë krasitjet pa asnjë kriter dhe nga kripa e cila është përdorur gjatë dimrit për pastrimin e rrugëve.

“Duke filluar nga dëmtimet biotike dhe abiotike, si dhe si pasojë edhe të ndërhyrjeve që janë bërë në krasitjet pa asnjë kriter, gjithashtu ka dëmtime edhe në fund të trungut të cilat mund të jenë edhe gjatë pastrimit të rrugëve gjatë dimrit, kripa si dhe dëmtime si thyerje të degëve ku të gjitha këto kanë sjellë edhe kalbëzime të trungut”, tha ai.

Krasniqi ka treguar tutje se kanë bërë një propozim në komunën e Podujevës, për zëvendësimin e këtyre drunjve, por jo të të gjithëve.

“Nga ana profesionale mendoj që drunjtë duhet të zëvendësohen (dhe këtu nuk janë përfshirë të gjithë drurët) me fidane të reja por që, lartësia e tyre të jetë mbi 2m, dhe të kenë kurorë të formuar”, shtoi tutje Krasniqi.

Në lidhje me largimin e drunjve nga vendi ku planifikohet të ndërtohet sheshi në komunën e Podujevës, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, i cili ka treguar se për këta drunj është duke u përgatitur një raport.

“Komuna e Podujevës është duke përgatitur një raport përfundimtar mbi këtë çështje, dhe mund të konfirmoj se drunjtë do të zëvendësohen”, ka thënë Jaha.