Foto nga webfaqja e Drejtorit Politik i kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban, Balazs Orban.

Krahu i afërt i Orbanit për KALLXO.com: E kemi korigjuar diagramin ku Kosova nuk paraqitet si shtet

Drejtori Politik i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, njëherësh deputet i Parlamentit hungarez, Balazs Orban, më 12.08.2024, ka publikuar një diagram të rajonit me hartat e vendeve që kanë fituar medaljet olimpike në ‘Paris 2024’, në të cilën nuk përfshihej Kosova si shtet.

Pas disa polemikave në opinion publik, sot më 13.08.2024, Orban e ka fshirë postimin nga platforma ‘X’. Dhe vetëm pak minuta pasi e fshiu postimin paraprak, ai publikoi një hartë tjetër në të cilën figuron edhe Republika e Kosovës. Megjithatë, kësaj here nuk u vendosën në hartë dy mdealjet që u fituan nga përfaqësueset e Kosovës në Lojërat Olimpike, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu.

Ende pa e fshirë postimin KALLXO.com i ka shkruar Qeverisë së Hungarisë për të kërkuar një sqarim në lidhje me këtë postim që mohon Pavarësinë e Kosovës. 

“Ne kemi ndryshuar diagramin dhe e korrigjuam atë”- tha Balazs në një përgjigje për KALLXO.com.

Fotoja fillestare e publikuar nga Drejtori Politik i kryeministrit të Hungarisë, Balazs Orban në platformën ‘X’, më datë 12.08.2024.

I pari që i kishte reaguar postimit të njeriut të afërt të kryeministrit Orbani, ishte ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Harta e medaljeve olimpike të qeverisë hungareze duket se pasqyron një realitet fiktiv”- ka shkruar Hoxhaj.

“Vendi i merituar i Kosovës në hartë, së bashku me medaljet e fituara, është i pamohueshëm dhe këtu për të qëndruar. Më shumë fat herën tjetër me gjeografinë” – ka shtuar ai.

Një version tjetër të hartës të publikuar fillimisht nga Orban e ka publikuar Ambasada e Kosovës në Hungari. Në atë hartë është vendosur harta e Kosovës dhe dy medaljet.

“Kënaqësi që shoh hartën e numërimit të medaljeve olimpike që tani pasqyron saktë Republikën e Kosovës. Krenar për arritjet e sportistëve tanë”- shkruan Ambasada e Kosovës në Hungari.

Edhe pse Hungaria ka njohur Kosovën si shtet, kryeministri i tanishëm nuk shpreh pëlqyeshmëri ndaj Kosovës. Orban ka raporte të mira me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Fotoja e publikuar nga Ambasada e Kosovës në Hungari, më 13.08.2024.

Faktikisht, Hungaria është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, më 19.03.2008.

Që nga viti 2020, Kosova ka ambasadë në Budapest. Ambasador i Kosovës në këtë vend u zgjodh rishtazi, më 30.05.2024, Delfin Pllana.

“Është qesharake dhe e pamundur”, kishte deklaruar kryeministri Viktor Orban, kur është pyetur se a duhet të sanksionohet Serbia pas ngjarjeve të 24 shtatorit kur një grup terrorist depërtoi në territorin e Kosovës,  sulmoi Policinë e Kosovës dhe la të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Përfaqësues të Hungarisë kishin mbajtur qëndrim kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës gjatë këtij viti.

Zsolt Nemeth nga Hungaria si përfaqësues i Partisë Europiane Konservatore, tha se është kundër raportit që u prezantua më 16 prill nga raportuesja për Kosovë, Dora Bakoyannis i cili ishte në favor të anëtarësimit të Kosovë në Këshillin e Europës.

Nemeth kishte dhënë tri arsye për këtë kundërshti, duke theksuar se Kosova nuk i ka përmbushur zotimet, duke përmendur edhe mos-themelimin e Asociacionit.

“Janë tri arsye pse nuk e mbështesim raportin. E para, Kosova nuk ka përmbushur zotimet, Asociacioni. E dyta është Serbia. Mohimi i interesave të Serbisë rrezikon stabilitetin” – kishte thënë ai.

Nemeth kishte deklaruar se arsyeja e tretë është se Këshilli i Europës shkon kundër parimeve për stabilitet nëse e pranon Kosovën pjesë të saj.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17.02.2008.