Krahas Ligjit për Këshillin e Sigurisë, Osmani e kthen në Kuvend edhe Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit

Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është kthyer në rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani më 18.11.2024.

Sipas njoftimi, Osmani ia ka kthyer këtë ligj Kuvendit me arsyetimin se disa dispozita të tij rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë.

Ky Ligj është miratuar në Kuvend më 31.10.2024.

Sipas arsyetimit të Osmanit, Ligji cenon mundësinë e zbatimit të obligimeve kushtetuese të institucioneve kompetente në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pasi që kufizon aplikimin e masave të tjera, siç mund të ishte kalimi në paketimin me të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin.

Sipas Osmanit, Ligji bie në kundërshtim me nenin 7 dhe nenin 52 (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe krijon kolizion ligjor me Ligjin përkatës për mbeturina.

“Kuvendi i Republikës se Kosovës ka qenë i obliguar të ndjekë frymën e Kushtetutës dhe interesin legjitim të vendit në raport me mbrojtjen e mjedisit jetësor si vlerë dhe kërkesë kushtetuese, në Republikën e Kosovës. Megjithatë, me përfshirjen e nenit 17 (4) në Ligjin Nr. 08/L-288 për Mbrojtjen e Konsumatorit, Kuvendi rrezikon të krijojë një kufizim karshi masave alternative që mund të ndërmerren për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike. Rrjedhimisht, rrezikon mundësinë e përmbushjes se obligimeve kushtetuese të institucioneve në raport me mbrojtjen e mjedisit, duke kufizuar mundësitë e tyre për rishikimin dhe përshtatjen e politikave që garantojnë mbrojtjen e mjedisit”- thuhet në arsyetim.

Osmani tutje ka përmendur edhe pasojat e shpalljes së këtij ligji. Ajo ka thënë se mungesa e qartësisë ligjore për përdorimin e qeseve të plastikës ndikon edhe në përdorimin e tyre në mënyrë të pakontrolluar.

Presidentja, Vjosa Osmani, më 18.11.2024 ka marrë vendim për ta kthyer në rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës, edhe Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Gjatë mandatit të saj si presidente, kjo është hera e parë që Osmani ka kthyer ligje për rishqyrtim në Kuvend.

Sipas Kushtetutës, në këtë situatë, Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë.

Presidentja Osmani e kthen në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës