Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ vendosë lartësinë e shpenzimeve të partive politike për zgjedhjet lokale - 50 dhe 70 cent për votues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për të ia caktuar tavanin e shpenzimeve partive politikë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të këtij viti.

KQZ ka vendosur që në komunat që janë më pak se 5 mijë banorë, paritë politike mund t’i shpenzojnë 0.70 për votues, ndërsa në komunat që janë me shumë se 5 mijë banorë, partitë politike mund të shpenzojnë vetëm deri në 50 cent për votues.

Këto të dhëna i ka ofruar para anëtarëve të KQZ-së, Drejtori Ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim, Yll Buleshkaj.

“Kemi vendosur që 0.50 euro do të jetë shuma e shpenzimeve për votues në komuna me më shumë se 5 mijë banor ndërsa 0.70 euro për komunat me më pak se 5 mijë banor. 950 mijë e 633 euro dhe 40 cent do të jetë shuma të cilën subjektet politike mund ta shpenzojnë gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë”, tha Buleshkaj në mbledhjen e KQZ-së.

Sipas tij, shumë më e lartë që do të mund të shpenzojnë partitë politike gjatë fushatës zgjedhore është 950 mijë e 633 euro.

Shuma prej 950 mijë euro vlen për ato partitë politike që garojnë në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa për ato parti që do të garojnë vetëm në një komunë të caktuar do të vlejë shuma e caktuar për atë komunë, varësisht nga numri i banorëve.

Në rast se pas auditimit të partive politike, del që nuk janë përfillur vendimet e KQZ-së për lartësinë e shpenzimeve, kjo e fundit mund të shqiptoj gjoba ndaj tyre.