KQZ vendos të shtypen 1,801.800 fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazuar në listën përfundimtare të votuesve ku numri i votuesve është 1,937.868, ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime.

Kështu ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sipas të cilit do të ketë 136,068 fletëvotime më pak se votues.

Këshilli Qendror i Zgjedhjeve dje ka miratuar fletëvotimet si dhe ka rritur numrin e votuesve në një vendvotim.

Poashtu në konferencë është bërë e ditur se numri i votuesve të rinj të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale të 6 tetorit është 111 e 733 mijë votues.

Kryetarja e KQZ-së , Valdete Daka po ashtu ka njoftuar se numri i votuesve në Kosovë për këtë vit do të jetë 1 milionë e 937 mijë e 869 votues.

“Në listat e votuesve i kemi 1 milionë e 937 mijë e 869 emra, që nga viti 2011 kemi më shumë se 200 mijë votues sesa qytetarë rezident sepse sikur që e dini regjistrimi i popullatës është bërë me qytetarët, të cilët kanë qenë në momentin e regjistrimit në Kosovë”, ka thënë Daka.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, më 6 tetor 2019 është: 111 mijë e 733 votues.

87 mijë e 180 votues të rinj që pas Zgjedhjeve Lokale 2017 kanë arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç dhe që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës më 6 tetor 2019.

24 mijë e 553 votues që nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve në Zgjedhjet Lokale 2017, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh ose votues që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve lokale 2017.