KQZ vendos rinumërimin në 303 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur që të rinumërojë mbi 303 vendvotime për shkak se formularët kanë qenë të shtypur gabimisht dhe nuk janë plotësuar siç duhet.

Kryetarja e këtij komisioni Valdete Daka, rreth kësaj çështjeje ka thënë se personat përgjegjës për shtypjen e fletëvotimeve do të japin përgjegjësi në ditët në vazhdim.

“Nuk po flitet për manipulim, por për një gabim teknik që ka ndodhur, për shkak të shtypjes së gabueshme të formularëve. Duhet të deklarohet publikisht e të mos fshihemi. Formularët janë shtypur gabimisht. I kujt është faji do të zbulohet gjatë ditëve të ardhshme. Sekretariati është bartës i shtypjes të cilët janë shpërndarë në të gjithë Kosovën. Janë shpërndarë të njëjtit formularë dhe të njëjtit e kanë pasur gabimin teknik që subjektet të cilat ishin të renditura në fletëvotimin, dhe në formular, por subjektit të parë i mungon rubrika. Për rrjedhojë të kësaj, disa komisionarë të cilëve iu ka ndez llamba, i kanë shkruar me saktësi, por disa të tjerëve që s’iu ka ndez llamba kanë vazhduar nga subjekti i dytë dhe kanë krijuar një huti. Përfundimisht, QNR i ka zbuluar 303 vendvotime deri më tani, të cilat janë plotësuar në këtë mënyrë. Si përfundim, këto formularë, qoftë sot, pas një muaji, s’mund të procedohen si të tilla sepse janë plotësuar në mënyrë të gabueshme. Kemi rekomandim për rinumërim të 303 vendvotimeve në tërësi”, ka thënë Valdete Daka.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërimin e këtyre vendvotimeve pasi është njoftuar nga Burim Ahmetaj nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve

Ahmetaj ka kërkuar të rinumërohen këto vendvotime duke mos specifikuar cilat janë.

“Nuk janë të plotësuara formularët e kandidatëve, e në rastet tjera mungojnë formularët e kandidatëve”, ka thënë Ahmetaj.