KQZ vendos që të rinumërohen edhe 3 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të rinumërohen edhe 3 vendvotime nga zgjedhjet e 6 tetorit, si dhe një tjetër të shqyrtohet.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në mbledhjen e KQZ-së, Burim Ahmetaj bëri të ditur se në 3 vendvotime duhet rinumërim i plotë, prej tyre në 2 vendvotime në Podujevë dhe 1 në Prizren, rekomandim të cilin e miratoi KQZ-ja, si dhe në një vendvotim tjetër specifik u mor vendim të shqyrtohet.

Sipas Ahmetajt, nga një vendvotim në Skenderaj mungojnë fletëvotimet e rregullta, për të cilin ai kërkoi të mos procedohet në rezultatet përfundimtare.

“Mungojnë 450 fletëvotimet e papërdorura. 1 është dëmtuar gjatë ditës, 299 fletëvotime janë brenda kutisë që prej tyre 13 janë të pavlefshme dhe 286 vota janë të vlefshme”, tha ai në mbledhjen e KQZ-së.

Lidhur me këtë, pas votimit të anëtarëve të KQZ-së, nuk pati vendimmarrje që ky vendvotim në të mos futet në rezultatet përfundimtare.

Për këtë çështje, u tha se duhet kërkuar interpretim nga Zyra ligjore e KQZ-së.

QNR ndër të tjerash ka bërë të ditur se 27,35 për qind të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta janë numëruar.

“Nga 26382 vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta 1705 janë refuzuar. Jemi në proces të numërimit të votave me kusht ku do të punohet deri në orën 24:00 në QNR. Sa i përket votave me postë, 3134 vota me poste, prej tyre 3104 fletëvotime përmes postës janë të vlefshme”, shtoi Burim Ahmetaj (QNR).

Në këtë mbledhje u diskutuan edhe çështje të tjera nga ana e anëtarëve të KQZ-së.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Sami Hamiti ka thënë se ka kërkuar në mënyrë zyrtare informacione të thukta për votat jashtë vendit, por që nuk ka marr përgjigje nga Sekretariati i KËZ-së.

Kurse, Enis Halimi kryeshef i Sekretariatit të KQZ-së, tha se nuk kanë qenë të njoftuar që në këtë mbledhje do të kërkohet një raport i tillë.

Kjo ka nxitur edhe reagimin e përfaqësuesit të LDK-së në KQZ.

“Për votat jashtë vendit kam kërkuar informatë më të thuktë. Arsyetimi i kryeshefit është qesharak. Kërkesa ka qenë decidive, por e keni neglizhuar”, tha Haliti.

Kurse, Halimi tha se për këtë mund të njoftojnë verbalisht.

“Është e vërtetë që s’kemi përgatitur raport të detajuar sepse mbledhja nuk është thirr me këtë rend dite. Nuk e kemi ditë apo jo. Tash mund të ju informojmë verbalisht”, tha ai.

Kurse, Adnan Rrustemi përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendose në KQZ ka kërkuar informacione për gjendjen e votave me zarfe që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

“Kërkoj informatë nga sekretariati për gjendjen e këtyre zarfeve. A janë verifikuar dhe në çfarë statusi janë”, tha ai.

Ndërkaq, Valdete Daka, kryesuese e mbledhje së KQZ-së kërkoi që të përgatitet raport për këto vota.

“Të përgatitet raport për votat nga Serbia edhe nga mërgata të përgatitet një informatë për procedimin e këtyre votave”, tha ajo.

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 25 octobre 2019

Vjedhjet dhe manipulimet me vota brenda kandidatëve të subjektit të njëjtë politikë është temë diskutimi mbrëmë në “Jeta në Kosovë”.