Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ vazhdon përgatitjet, emëron 250 anëtarë në Komisionet Komunale Zgjedhore

250 anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) janë emëruar në 38 komunat e Kosovës, për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Para emërimit të tyre, KQZ-ja i ka dërguar emrat e propozuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për t’u verifikuar nëse janë në përputhje me rregullën zgjedhore për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

Në këtë rregull zgjedhore, specifikohet se personi i nominuar për emërim për anëtar të KKZ-së duhet t’i plotësojë disa kritere, në mesin e të cilave, “të mos jetë i dënuar, për vepër penale, me vendim të formës së prerë të gjykatës në tri vitet e fundit”.

Sipas KQZ-së, vetëm 7 persona kanë rezultuar se nuk janë në përputhje me këtë përcaktim të rregullës zgjedhore dhe të cilët duhet të zëvendësohen me emra të rinj.

Sipas vendimit të KQZ-së, mandati i anëtarëve të KKZ-ve fillon në ditën e këtij vendimi dhe përfundon 15 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, përveç nëse ky mandat ndërpritet para përfundimit ose zgjatet me vendim të veçantë.

Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KKZ-ja është organ përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore brenda territorit të komunës së caktuar.