Ilustrim Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ u kthehet zgjedhjeve në veri, hap tender për bartjen e materialit zgjedhor

Për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në të cilat pritet të mbahen zgjedhjet më datë 23 prill 2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve [KQZ], së fundmi ka hapur tender për blerjen e shërbimeve të transportit, për bartjen e materialit zgjedhor.

Për këtë tender, KQZ ka parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 5,100 euro, me kohëzgjatje të kontratës 3 muaj.

Për aktivitetin e prokurimit në fjalë, KQZ përdori procedurën e kuotimit të çmimit me kriter për dhënie të kontratë, çmimi më i ulët.

KQZ tregon se nëpërmjet kësaj kontrate, planifikon të blejë shërbimet për bartjen e materialit sensitiv dhe jo sensitiv.

“Transporti i materialit sensitiv dhe josensitiv për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe Zgjedhjet e Parakohshme për kuvendet e Komunave Zveçan dhe Leposaviq 23 prill 2023”- thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Kujtojmë se Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në muajin dhjetor të vitit të kaluar njoftoi për shtyrjen e zgjedhjeve në veri  për në muajin prill të vitit 2023. Ajo këtë deklarim e kishte bërë pas takimit me përfaqësuesit e partive politike.

Sipas Presidentes Osmani, për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, kishte thënë ajo në konferencën për media.

Në katër komunat në veri, ishin planifikuar të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor 2022. Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente, përfshirë të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës dhe shok bombave – por, pa pasoja në njerëz.

Lidhur me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të Kosovës, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, para se ato të shtyheshin për në muajin prill,  KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.

KQZ vazhdon përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve në veri, kontraktohen mijëra euro shërbime