Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Sipas, tij numri i qendrave ku ka nisur votimi është 883 në gjithsej 2,477 vendvotime.

“Sipas planifikimeve në orën shtatë janë hapur të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës. Numri i qendrave të votimit është 883 në gjithsej 2,477 vendvotime”, tha Elezi.

Ai shtoi se këto janë zgjedhjet e shtata me radhë për kuvende komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

“Sot po mbahen zgjedhjet lokale të shtatat me radhë për Kuvende Komunale dhe të pestat për Kryetarë të Komunave. Zgjedhjet po mbahen për të zgjedhur 38 kryetarë de 1,002 anëtarë të Kuvendeve Komunale. Numri i përgjithshëm i kandidateve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 5 mijë e 366 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5 mijë e 198 për kandidatë të Kuvendeve Komunale”, shtoi tutje Elezi.

Elezi tutje potencoi se nuk ka të dhëna lidhur me numrin e personave me COVID-19 që duan të jenë pjesë e votimit.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e sotme janë të regjistruar 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Kosova voton, zgjidhen kryetarët dhe asamblistët e 38 komunave