KQZ: Sot janë aprovuar 46 mijë aplikacione të diasporës dhe janë realizuar 39 mijë thirrje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më sot janë aprovuar 46 mijë aplikacione nga diaspora për votim në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur për KALLXO.com se deri në mesditën e sotme, në sistem janë futur rreth 130 mijë aplikacione për regjistrim.

“Deri në mesditën e sotme (e mërkurë, 27 janar) në sistem janë futur rreth 130 mijë aplikacione për regjistrim, ndërsa deri më tani janë aprovuar rreth 46 mijë. Sipas të dhënave nga shërbimi votues janë edhe 27 mijë e-maila të pahapura”, ka thënë Elezi.

Elezi po ashtu theksoi se pas përfundimit të të gjithë kësaj periudhe të shqyrtimit, vlerësimit dhe verifikimit të aplikacioneve, në fund do të ketë një raport të detajuar për numrin e saktë.

“Të gjithë qytetarët të cilët regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mundet të votojnë përmes postës duke filluar më 2 shkurt. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt”, ka shtuar ai.

Elezi për KALLXO.com tha se deri më sot janë realizuar 39 mijë thirrje në diasporë.

“Sipas raportit të mesditës, në qendrën e thirrjeve për konfirmimi dhe verifikim të aplikacioneve, janë realizuar rreth 39 mijë thirrje, prej tyre në rreth 32 mijë aplikues kanë konfirmuar të dhënat e tyre, ndërsa rreth 7 mijë e 300 persona nuk e kanë hapur telefonin. Do të bëhen tentime të radhës me qëllim të verifikimit dhe konfirmimit”, ka deklaruar Elezi.

Sipas tij, nga numri i përgjithshëm i atyre që janë lajmëruar në telefon, 51 persona të cilët janë kontaktuar kanë thënë se nuk janë personat konkret.

“Pra, nuk e kanë emrin, mbiemrin, datën e lindjes dhe shtetin, sikurse në të dhënat nga aplikacioni për regjistrim ose kanë deklaruar se nuk aplikuar fare për regjistrim për të votuar përmes postës”, tha në fund Elezi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen te dielën e 14 shkurtit.

Ndërkaq, periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës ka përfunduar me 21 janar 2021, në orën 18:00 sipas kohës lokale në Kosovë.