Arkiv

KQZ shtyn deri në mesnatë afatin për aplikim për certifikim të subjekteve politike për Zgjedhjet e 9 Shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 11.10.2024, ka marrë vendim që të shtyjë afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për Zgjedhjet 9 Shkurtit 2025.

Ky afat është shtyrë deri në orën 23:59 të ditës së sotme (11.12.2024).

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 Shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024.” – ka thënë ai.

Sipas njoftimit, këtë vendim, KQZ e mori gjatë mbledhjes së sotme duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online dhe, sipas tij, disa nga subjektet politike kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformës.

Para këtij vendimi, deri më 11 dhjetor 2024, në orën 16:00, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) kanë pasë afat të dorëzojnë aplikimin e tyre.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar Eugen Cakolli nga Institutit Demokratik i Kosovës (KDI), sipas të cilit, fajtorët për këtë çështje janë partitë që nuk e kanë marrë seriozisht procesin – duke i lënë aplikimet për momentet e fundit.

“Partitë politike kanë pasur afat për të aplikuar për certifikim (dhe dorëzim të listave të kandidatëve) që nga 1 shtatori, deri sot në ora 16:00 – pra, plot 102 ditë. Megjithatë, pak minuta para përmbylljes së këtij afati, anëtarët e KQZ-së nga radhët e partive politike, kanë vendosur t’a shtyjnë këtë afat ligjor, edhe për 8 orë të tjera. Ndonëse, faji për këtë shtyrje po tentohet t’i lihet problemeve të platformës online, në fakt, fajtorët e vetëm janë partitë (sidomos ato të mëdha), që nuk e kanë marrë seriozisht procesin – duke i lënë aplikimet për momentet e fundit.” – ka shkruar ai.

Ndërsa, ka thënë se vendime e arsyetime të tilla, e cenojnë besimin e publikut, në punën e KQZ-së dhe në tërë procesin zgjedhor.

Zgjedhjet 2025- Nis afati për certifikimin e partive dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë

Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 9 Shkurt 2025.

Lista preliminare e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmban 2,047,148 votues, shtetas të Kosovës.

Numri i votuesve të rinj, që do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet e Përgjithshme, më 09.02.2025 është 209,878 – sipas të dhënave të KQZ-së.