Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ shtyn afatin për certifikimin e partive dhe kandidatëve për zgjedhjet në katër komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka shtyrë afatin për aplikim për certifikim të partive politike dhe kandidatëve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka bërë të ditur se vendimi është marrë sot në mbledhjen e KQZ-së.

“Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve i paraparë të përfundojë më 21 nëntor është shtyrë deri më 25 nëntor 2022. Rrjedhimisht, është shtyrë edhe afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga 26 nëntori në 28 nëntor 2022” – ka bërë të ditur Elezi.

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se KQZ-ja ka ndryshuar edhe afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Sipas vendimit të KQZ-së, ky afat do të shtyhet deri me 28 nëntor 2022.

Elezi po ashtu ka thënë se deri më tash KQZ-ja ka pranuar vetëm dy aplikime për certifikim.

“Subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme si dhe ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa subjekti tjetër politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut” – ka thënë Elezi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor 2022.

Presidentja Osmani cakton 18 dhjetorin datë të zgjedhjeve  të jashtëzakonshme për kryetarë të 4 komunave të veriut