KQZ-së i mbetet ‘hatri’ nga deklaratat e ministrit Besnik Bislimit

Mbledhja e KQZ-së sot ka filluar me debat mes anëtarëve pas deklarimeve të ministrit të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi se shuma e kërkuar prej 510 mijë euro për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunën e Podujevës është kërkesë ‘skandaloze’ nga ana e KQZ-së.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se deklaratat e Bislimit kanë qenë ofenduese.

“Deklaratat e ministrit të Financave kanë qenë ofenduese jo vetëm për mua, por për të gjithë zyrtarët e KQZ-së. E ndi të nevojshme që pas një mjegullie, duhet të jap disa shpjegime, zgjedhjet e jashtëzakonshme kërkojnë angazhim të jashtëzakonshme pavarësisht që janë të një komune”, ka thënë Daka.

“Angazhimi i stafit është i jashtëzakonshëm dhe kërkon angazhim jashtë orarit të punës, dhe sipas ligjit angazhimi duhet të paguhet. Nuk është në rregull të ofendohemi për shkak që ne punojmë edhe ditëve të pushimit, edhe ditën e pavarësisë ne kemi punuar”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, një deklaratë e tillë, nuk i ka hije Besnik Bislimit.

“Një deklaratë e tillë ku të krahasohemi me zhvatës apo kriminel nuk është në rregull dhe një identifikim i tillë nuk i ka hije një zyrtari shtetëror. Ne do të punojmë edhe pas orarit dhe pavarësisht se a do të kemi buxhet apo jo, buxhet i cili ende nuk është alokuar, ne do të japim llogari për buxhetin i cili do të alokohet. Jam jashtëzakonisht e shqetësuar sepse nuk na ka ndodhur të trajtohemi në një mënyrë të tillë. E konsideroj pa vend deklaratën nga një zyrtar i lartë shtetëror”, ka thënë më tej kryetarja e KQZ-së.

Edhe anëtarit të KQZ-së, Sami Hamiti nga LDK-ja i ka mbetur hatri nga ana e ministrit Bislimi, duke bërë thirrje që ai të kërkoi falje.

“E kam ndirë vetëm keq me këtë deklaratë, a e ka bërë qëllimshëm apo nga padituria nuk dihet. Buxheti është dorëzuar me 10 interpretimet janë që me 14, së pari nuk e kanë trajtuar me seriozitet. Krahasimet e buxhetit me komunat më të vogla tregon një situatë amatoreske, Drenasi dhe Podujeva nuk janë të njëjta. Situata e popullzimit që do ta ruaj buxhetin është tipike qesharake sepse ai automatikisht tregon një anarki. Kisha kërkuar që ministri të kërkoj fjale ndaj një institucioni të pavarur”, ka thënë Hamiti.

Kurse, Sami Kurteshi anëtarë i KQZ-së nga LVV tha se nuk e ka dëgjuar deklaratën e Bislimit.

“Nuk e kam dëgjuar të këtë fyer, unë si anëtarë i KQZ-së që jam këto prej 7 shkurtit është bërë shpallja e ditës së zgjedhjeve, por nuk i kam bërë as 3 orë punë, asnjë ditë nuk kam punuar jashtë orarit. Nëse një ministër është i papërvojë do ta tregojmë, por nëse ka pretendime me respektu ligjin edhe kushtetutën ne duhet të ballafaqohemi, nuk ka fshehje”, ka thënë Kurteshi.

“Unë jam për këtë që ta thërrasim dhe të shohim nëse ka tejkalime, nëse jemi zhvatës ta shohim sa jemi, prandaj nuk pajtohem me këtë fjalorë pa u ballafaquar me ministrin”, ka thënë tutje Kurteshi.

Kurse, Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ tha se nuk duhet të bëhet politik një vendim që ata e kanë marrë.

“Nuk kemi nevojë me bo politik mbi një vendim që vet e keni marrë, nëse shkon në rishqyrtim është mirë që administrata të paguhet. Mbështes mendimin që kjo të arsyetohet me plan operacional“, ka thënë Elshani.

Dje, në mbledhjen e Qeverisë, është diskutuar për kërkesën që KQZ e kishte bërë në Qeveri për 510 mijë euro për organizimin e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës.

Por, ministri i Financave dhe Transfere, Besnik Bislimi që vjen nga Vetëvendosje, këtë kërkesë e ka quajtur “skandaloze”.

“Kërkesa e KQZ-së e datës 14 shkurt, ka të bëjë me zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kërkesa e KQZ-së bashkë me kërkesën e PZAP mbërrin shumën e 510 mijë eurove. Ne si ministri jemi shokuar me nivelin e profesionalizmit të KQZ-së”, tha Besnik Bislimi në mbledhjen e qeverisë.

“Zgjedhjet janë për një komunë për një kryetar dhe kërkesa për paga dhe mëditje është për 60% mëditje shtesë është e paligjshme dhe e pakuptueshme për nivelin e punëve”, tha ai.

Bislimi tha se “autonomia e KQZ-së nuk duhet të tregohet në zhvatjen e buxhetit dhe për t’i pasuruar anëtarët e KQZ-së”.

“Duhet të tregohet që paraja publike nuk duhet të shpenzohet si plaçkë publike, duhet të refuzohet kërkesa e PZAP për mëditje, ndërsa e KQZ-së duke të aprovohet vetëm ajo për mallra dhe shërbime dhe jo për paga dhe mëditje”, tha ai.

 

Buxheti për zgjedhjet në Podujevë, ndarja e parë e qeverisë Kurti

www.kallxo.com