Numrimi i votave - Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

KQZ-së i hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare

Edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj nga Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare.

Por, shpalljes së tyre tashmë i ka hapur rrugë përfundimi i marrjes së vendimeve në lidhje me ankesat administrative të subjekteve politike/kandidatët në Gjykatën Supreme, kundër vendimeve te Panelit Zgjedhor per Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Gjykata Supreme e Kosovës përmes një njoftimi, më 13.03.2025, ka bërë të ditur se nga 43 ankesa, 20 prej tyre janë refuzuar, 11 janë hedhur si të palejuara, 9 prej tyre janë pranuar dhe 3 ankesa janë pranuar pjesërisht.

Partia e parë me më së shumti vota nga Zgjedhjet e vitit 2025 është Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 396,022 vota, apo 42.27% – duke siguruar kështu 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pas LVV-së, Partia Demokratike (PDK) është renditur e dyta me 196,353 vota, apo 20.96%, e cila do t’i ketë 24 mandate. Lidhja Demokratike (LDK) me 171,249 vota, apo 18.28% do t’i ketë 20 deputetë. Kurse, Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66,226 vota, apo 7.07%.

Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 ulëset e tjera janë fituar nga komunitetet tjera joshumicë, me dy deputetë Kosova Demokratik Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.