KQZ reagon ndaj aplikacionit që mbledh donacione dhe informacionet e qytetarëve nga jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shprehur shqetësim ndaj publikimit të një aplikacioni online që mbledh informacionet dhe donacionet e qytetarëve jashtë Kosovës.

KQZ është shprehur se ky aplikacion nuk është i autorizuar dhe është në kundërshtim me ligjin dhe integritetin e procesit zgjedhor.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shqetësim ka pranuar informacionet se gjatë ditës së sotme është publikuar një aplikacion online i cili po grumbullon të dhënat e qytetarëve nga jashtë Kosovës si dhe donacione. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, se një aplikacion i tillë është i paautorizuar, në kundërshtim me ligjin dhe dëmton integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Tutje sipas KQZ-së ka ata që aplikojnë përmes këtij aplikacioni nuk janë duke paraqitur këtë aplikim në KQZ për regjistrim si votues.

Regjistrimi si votues sipas KQZ-së bëhet vetëm mënyrës së paracaktuar nga KQZ, kurse për këtë aplikacion janë njoftuar organet kompetente për marrjen e masave të nevojshme ligjore.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të gjithë ata/ato që aplikojnë përmes këtij aplikacioni nuk janë duke paraqitur aplikimin e tyre në KQZ për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. KQZ njofton qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës dhe të cilët plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, që aplikimin e tyre ta bëjnë vetëm përmes mënyrës së përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke ndjekur hapat e publikuar në ueb faqen tonë zyrtare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se është i vetmi institucion që ka mandate kushtetues dhe ligjor për të organizuar dhe mbikëqyrur procesin zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas pranimit të informacioneve lidhur me publikimin e këtij aplikacioni, ka njoftuar organet kompetente për të ndërmarrë masat e nevojshme ligjor”, thuhet tutje në reagimin e KQZ-së.