KQZ pret sqarimin e incidentit për vazhdimin e verifikimit të votave nga jashtë Kosovës

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi lidhur me incidentin ku dyshohet për helmim të zarfeve që kanë ardhur nga Serbia për zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se janë duke pritur verifikimin e gjendjes nga organet kompetente.

“Jemi në proces të verifikimit të fletëvotimeve që kanë ardhë nga jashtë Kosovës. Ndërkohë është raportuar për një kundërmim që ka ndodhur nga disa pliko. Më pastaj kemi proceduar me njoftimin e organeve kompetente të cilat tashmë e kanë marrë situatën nën kontroll dhe jemi në pritje të verifikimit dhe saktësimit të gjendjes reale”, tha ai para gazetarëve në afërsi të Qendrës së verifikimit të votave.

Halimi shtoi se aty ka zarfe që kanë ardhur edhe nga Serbia por nga shtetet e tjera, duke shtuar se KQZ-ja do të dalë me vendim sapo të kenë pasqyrë të qartë të ngjarjes së sotme.

“Është çështje e vendimmarrjes në KQZ, se çfarë do të ndodhë me to, sepse zarfi përmban material të ndjeshëm. KQZ do të vendosë se si do të veprohet me këtë material të ndjeshëm. Besojmë që sot brenda ditës posa të kemi një pasqyrë më të qartë, KQZ ja do të marr vendim për këtë”, shtoi ai.

Halimi shtoi se do të kujdesen maksimalisht për integritetin e procesit zgjedhor.

KALLXO.com ka raportuar, se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke u marrë me rastin e asaj që duket të jetë helmim i zyrtarëve të angazhuar nga KQZ në procesin e verifikimit të votave të ardhura nga jashtë Kosovës.