Qendra e Numerimit dhe Rezultateve

KQZ pranon pajisje nga Gjermania për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), si donacion i Qeverisë së Gjermanisë përmes OSBE-së.

Sipas KQZ-së, ky aktivitet ka për qëllim modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturës së KQZ-së dhe është vazhdimësi e procesit të digjitalizimit të operacioneve zgjedhore.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi u shpreh se kjo ceremoni shënon moment të rëndësishëm për KQZ-në.

“Në verën e vitit të kaluar pranuam serverin, ndërsa pranimi i këtyre sot është vazhdimësi e procesit. Aktualisht jemi në një fazë të rëndësishme të procesit zgjedhor. Gjatë këtyre gjashtë muajve jemi përkushtuar maksimalisht që Zgjedhjet të organizohen sipas ligjit.” – u shpreh ai.

Ambasadori gjerman Jorn Rohde theksoi se Kosova ka bërë përparim të madh në organizimin e Zgjedhjeve.

“Digjitalizimi do të jetë kyç për këtë proces. Ky donacion i më shumë se 140 mijë eurosh siguron Zgjedhje të sigurta. Donacioni është pjesë e një projekti më të madh që ka për qëllim të forcojë kapacitetet.” – tha Ambasadori.

Zgjedhjet parlamanetare në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.