KQZ: Po vazhdon periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike

Është duke vazhduar periudha e aplikimit të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Sipas KQZ-së, kjo periudhë përfundon më 16 gusht.

Ylli Buleshkaj, nga zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim tha se deri më tani kanë pranuar 6 aplikime të subjekteve politike.

Sipas listës figuron se prej tyre janë 3 iniciativa qytetare, 1 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur. Subjektet që kanë aplikuar deri më 15 korrik 2021 janë këto:

  1. Partia politike Lëvizja Qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Gjilan;
  2. Kandidati i pavarur Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në Kaçanik;
  3. Iniciativa Qytetare Lista Guxo ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj;
  4. Iniciativa Qytetare Ne Guxojmë ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj;
  5. Kandidati i pavarur Agim Gjeli ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Fushë Kosovë; dhe
  6. Iniciativa Qytetare Bashkë për Istogun ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Istog;

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka vendosur që të bëjë auditimin e financave të partive politike.

Ylli Buleshkaj, nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim tha se kanë caktuar auditor për parti politike.

“Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike e ka zgjedhë një kompani që do ta bëjë auditimin e financave të partive politike”, tha ai.