
Zgjedhjet Qendrore 2021, KQZ, kutia e votimeve
KQZ po shqyrton mundësinë e shtyrjes së afatit për regjistrimin e partive politike për zgjedhjet në veri
Komisionit Qendror i Zgjedhjeve është duke e trajtuar çështjen e shtyrjes së afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në katër komunat në veri të vendit.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai ka thënë lidhur me këtë çështje KQZ do të njoftoj sot gjatë ditës.
Elezi tutje ka bërë të ditur se deri sot në ora 14:00, KQZ ka pranuar vetëm një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
“Deri më tani (21 nëntor, 14:00) KQZ-ja ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Subjekti politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut” – ka thënë Elezi për KALLXO.com.
Afati për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje ka filluar më 15 nëntor dhe ka qenë i paraparë që të përfundojë më 21 nëntor 2022.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Dorëheqja e kryetarëve të 4 komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës të Drejtorisë Mitrovicë Veri. I njëjti u suspendua pasi u dyshua për rezistencë dhe refuzim të lëshimit të fletë-qortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.
Dorëheqje pati në Polici, sistem gjyqësor, nivel lokal, etj.