KQZ paralajmëron kërkesë të re për buxhetin shtesë, të hënën takon ministrin Besnik Bislimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar kërkesë të re për buxhet për kompenzimin e orëve shtesë nga Ministria e Financave pasi kërkesa fillestare iu refuzua nga Ministri Besnik Bislimi.

Yll Buleshkaj, Ushtrues Detyre i Kryeshefit të të sekretariatit KQZ-së, tha së vendimi për ndarjen e mjeteve për mallra dhe shërbime ka ardhur sot.

Buleshkaj tha që të hënën pritet të zhvillojnë një takim me ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimin.

“Me siguri të gjithë nga ne e dimë, sot na ka ardhur vendimi për ndarjen e mjeteve për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve nga ministria. Ne si sekretariat jemi në përpunim të kërkesës së re e cila do ti përbëjë mjetet që ne i konsiderojmë të nevojshme, do të jetë me e përshtatshme. Të hënën është takimi me ministrin në ora 14:00”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e kaluar nuk ia ka miratuar kërkesën e KQZ-së dhe PZAP  për paga dhe mëditje. Në total këto dy institucione i kanë kërkuar 510 mijë euro, ndërsa vetëm KQZ i ka kërkuar 494 mijë euro, ndërsa janë miratuar vetëm 393 mijë euro.

 

Edhe Paneli Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa (PAZP), ka paralajmëruar se ministrit Bislimi do ti dërgojnë në kërkesë të re për buxhetin shtesë pasi që kërkesa e tyre në vlerë prej 18 mijë e 618 eurove për paga dhe mëditje për zgjedhjet e 15 marsit në Komunën e Podujevës është refuzuar.

Ministri i Financave dhe Transfere, Besnik Bislimi kërkesën e këtyre dy institucioneve  e ka quajtur “skandaloze”.

Bislimi ka thënë së  “autonomia e KQZ-së nuk duhet të tregohet në zhvatjen e buxhetit dhe për t’i pasuruar anëtarët e KQZ-së”.

“Duhet të tregohet që paraja publike nuk duhet të shpenzohet si plaçkë publike, duhet të refuzohet kërkesa e PZAP për mëditje, ndërsa e KQZ-së duke të aprovohet vetëm ajo për mallra dhe shërbime dhe jo për paga dhe mëditje”, ka thënë tutje ai.