Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com

KQZ: Numërohen 1 mijë e 170 vendvotime

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se sot (15.02.2025) deri në orën 16:00, janë numëruar 1 mijë e 170 vendvotime nga 2 mijë e 533 sa janë gjithsej. 

KQZ bënë të ditur se procesi i numërimit të votave ka përfunduar në nëntë Qendrat e Komunale të Numërimit (QKN) në Komunën e Novobërdës, Obiliqit, Shtërpcës, Junikut, Hanit të Elezit, Ranillugës, Parteshit, Kllokotit dhe Mitrovicës së Veriut. 

“Më 15 shkurt, në orë 16:00, ka filluar procesi i numërimit edhe në QKN-në e komunës së Mamushës.Në përgithësi, procesi i numërimit është duke vazhduar në 26 Qendra Komunale të Numërimit”njofton KQZ.

Aktualisht, procesi i numërimit është duke vazhduar në 26 Qendra Komunale të Numërimit.

Ndërkohë që nëpër komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, në disa raste procesi është përcjellë me telashe teknike që nga dita e zgjedhjeve më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.

Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një raporti përfundimtar nga institucionet e sigurisë.KQZ ka njoftuar se i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë për Zgjedhjet e 9 shkurtit.

Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.