
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com
KQZ nuk tregon pse nuk e përdori serverin që e mori donacion nga Gjermania
Që nga e marta (11.02.2025) ka filluar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike që garuan në zgjedhjet e 09.02.2025.
Ueb-faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku publikohen votat e numëruara është përballur me probleme, pasi që sistemi ka dalë jashtë funksionit disa herë, duke rezultuar me ndërprerje dhe vonesa në numërimin e votave.
Problemet që u shfaqën nga rënia e sistemit KQZ-së kanë ngjallur reagime të ndryshime në opinionin publik.
Për shkak se në opinion disa herë u akuzua Qeveria e Kosovës, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, më 12.02.2025 ka reaguar në rrjete sociale.
Kryeziu ka thënë se Qeveria nuk ka të bëjë me serverët dhe software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare.
Sipas tij, akuzat në drejtim të Qeverisë për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së janë “përpjekje e ulët për të shkaktuar huti me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në Zgjedhje dhe rezultateve preliminare. Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë, kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion. Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik.” – ka thënë ai.
Kryeziu: Vota e gjithsecilit do të mbrohet, s’do të tjetërsohet vullneti i qytetarëve
Për serverët që Gjermania i dha donacion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe software-n nga OSBE, KALLXO.com ka pyetyr Ambasadën gjermane në Kosovë dhe zyrën e OSBE-së.
Ambasada gjermane ka konfirmuar për KALLXO.com se përmes OSBE-së i ka dhënë si donacion serverin KQZ-së dhe disa pajisje të tjera, por që sipas informacioneve të tyre, serveri dhe pajisjet nuk u përdorën në këto zgjedhje.
“Pajisjet e ofruara synojnë të përmirësojnë infrastrukturën teknologjike të KQZ-së, megjithatë nuk përfshihen pajisje për numërim të votave. Donacioni u organizua dhe pajisjet u blenë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, me financim të ofruar nga Gjermania” – thuhet mes tjerash në përgjigjen e Ambasadës gjermane.
Nga kjo Amabasadë thonë se pajisjet u dorëzuan më 05.02.2025.
“Dorëzimi i pajisjeve u bë më 5 shkurt, pak ditë para zgjedhjeve. Ambasada gjermane është informuar se pajisjet e dhuruara nuk janë përdorur gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit. Çdo pyetje e mëtejshme në lidhje me arsyet e mospërdorimit të pajisjeve duhet t’i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përveç kësaj, ne nuk kemi çfarë të komentojmë” – kanë thënë në përgjigjen me shkrim nga Ambasada gjermane.
Misioni i OSBE-së në Kosovë për KALLXO.com ka konfirmuar se softwere për KQZ-në është donacion i OSBE-së, i cili iu dorëzua KQZ-së në gusht të vitit që shkoi.
“Ai u zhvillua nga kompania private Cacttus pas një procesi prokurimi të hapur, transparent dhe konkurrues. Prokurimi u iniciua nga OSBE me kërkesë të KQZ-së për të forcuar kapacitetet e saj të menaxhimit zgjedhor dhe për të përforcuar transparencën e procesit zgjedhor. OSBE-ja ia dorëzoi zyrtarisht softuerin zgjedhor Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në gusht 2024 gjatë një Ushtrimi Zgjedhor Mock të suksesshëm të organizuar nga KQZ-ja me mbështetjen e Misionit të OSBE-së” – thuhet mes tjerash në përgjigjen e OSBE-së.
Tutje nga OSBE thonë se të dhënat e numërimit dhe verifikimit të votave që bëhen manualisht vendosen në softuer për tabelim dhe paraqitje, kurse për detaje të mëtutjeshme, ky Mision rekomandon kontaktin me KQZ-në.
“KQZ po përdor softwere-in për të paraqitur rezultatet preliminare” – thuhet në fund të përgjigjes së OSBE-së.
KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ishte ai që njoftoi për serverin donacion nga Gjermania.
Kryeziu u pyet se a ka qenë në dijeni Qeveria që pajisjet që Kryeziu i ka përmendur nuk janë përdorur në zgjedhje.
Në një përgjigje me shkrim, më 14.02.2025, ai thotë se nuk janë në dijeni nëse pajsijet janë përdorur ose jo nga KQZ-ja.
“Se si është administruar nga KQZ-ja mbështetja ndërkombëtare e OSBE dhe shtetit gjerman për KQZ-në është çështje që i takon KQZ-së. Pra pajisjet, serverët dhe software-i përkatës janë çështje që i takojnë KQZ-së, si i institucion i pavarur kushtetues përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve” – thotë Kryeziu.
Tutje ai shton se deklarimi i 12.02.2025 bazohet në raportim mediatik lidhur me pranimin e donacionit ndërkombëtar nga KQZ.
“Me këtë rast ne kemi theksuar një informacion publik, pa i dhënë atij ndonjë interpretim – se a janë përdoruar apo jo ato pajisje” – sqaron tutje ai.
Ai shton se me rëndësi mbetet që procesi i numërimit të votave të zhvillohet duke pasur në qendër integritetin e procesit zgjedhor dhe votën e secili qytetar.
“Arsyet dhe shkaqet e problemeve të shfaqura në platformën digjitale të numërimit të votave duhet të evidentohen dhe të adresohen” – shton ai.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, për të kuptuar se a është përdorur serveri donacion nga Gjermania së bashku me pajisjet e tjera, se nëse nuk është përdorur ky server, çfarë serveri është përdorur por edhe për të kuptuar se cilat janë pajisjet e tjera të pranuara nga ky donacion.
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, KQZ nuk është përgjigjur.
Kompania CACTTUS më 10.02.2025 ka lëshuar një deklaratë për të informuar opinionin publik në lidhje me problemet e hasura me performancën e aplikacionit softuerik të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës gjatë zgjedhjeve të 09.02.2025.
Kjo kompani ka thënë se janë të vetëdijshëm se ueb-faqja e KQZ-së pati probleme me performancën në orët e mbrëmjes, duke rezultuar në vonesa në paraqitjen e të dhënave në faqen e internetit.
Sipas kompanisë, problemi u shkaktua nga një konfigurim jooptimal i shërbimit të Cloudflare, që është menaxhuar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe KQZ, dhe jo nga logjika e aplikacionit të votimit.
CACTTUS gjithashtu ka raportuar se faqja e internetit e KQZ-së ka qenë vazhdimisht shënjestër e sulmeve kibernetike, përfshirë sulme DDoS (Distributed Denial of Service), të cilat kanë mbingarkuar serverët dhe kanë paraqitur një sfidë shtesë për mbajtjen e disponueshmërisë së faqes.
“Në thelb, është si një bllokim i madh trafiku në një autostradë digjitale, duke penguar përdoruesit legjitimë të arrijnë në destinacionin e tyre. Ndërsa vetë aplikacioni i votimit mbeti i sigurt dhe funksional, këto sulme kanë paraqitur një sfidë shtesë për ruajtjen e disponueshmërisë së vazhdueshme të faqes së internetit. Ne po bashkëpunojmë në mënyrë aktive me Komisionin Zgjedhor të Kosovës, organet e drejtësisë dhe agjencitë qeveritare përkatëse për të zbutur këto sulme dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit”- thuhet në reagim.
Deklaratën e plotë të kompanisë mund ta gjeni në këtë LINK.
Në komunën e Prishtinës, Lipjanit, Obiliqit dhe Parteshit numërimi ka filluar më 11.02.2025.
Një ditë me vonë me 12.02.2025 numërimi ka nisur në Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit.
Ndërsa në Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik numërimi ka nisur më 13.02.2025, sipas KQZ-së.
Ndërkohë që nëpër komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, në disa raste procesi është përcjellë me telashe teknike që nga dita e zgjedhjeve më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.
Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një raporti përfundimtar nga institucionet e sigurisë.
Kurse, presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucionalë për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.
Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17.02.2008.