
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com
KQZ nuk përcakton afat se kur mund të përfundojë procesi i numërimit të votave
Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se, më 12.02.2025, në ora 16:00, është planifikuar të fillojë numërimi i votave në Deçan, Gjakovë, Drenas, Skenderaj, Gjilan, Fushë Kosovë, Shtërpce, Mitrovicë Jugore, Kamenicë, Viti, Ranillug dhe Mitrovicën Veriore për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa, në qytetin e Hanit të Elezit numërimi veçse ka filluar, sipas zëdhënësit për informim të KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi ka njoftuar se përgatitjet teknike e administrative nëpër Komuna janë duke u bërë.
“Për secilën prej Komunave janë duke u bërë përgatitjet teknike e administrative. Funksionalizimi i Qendrave është mjaft kompleks.” – tha ai.
Ndërsa, për çështjen e numërimit se sa mund të marrë kohe ai tha se “varet nga pjesëmarrja e votuesve”. Ai përmendi faktin se në Zgjedhjet e 9 shkurtit qytetarët kanë pasur mundësi që të votojnë deri në 10 kandidatë.
“Se sa do të marrë kohë numërimi sigurisht që është vështirë të caktohet afat kohor. Një grup numërimi mund të bëjë numërimin e deri dy kutive brenda ditës përafërsisht.” – ka deklaruar Elezi.
Më herët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me qëndrimin se integriteti i votës nuk është cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.
Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike ka filluar, më 11.02.2025, në Qendrat Komunale të Numërimit, në: Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh.
Me 99.53% të votave të numëruara deri në orën 17:20, më 11.02.2025, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para, me 340.641 vota, apo 40.89%.
Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.05% të votave, apo 183.661 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta, me 17.62%, apo 146.815 vota.
Koalicioni AAK-NISMA, Intelektualët, Konservatorët kanë 7.46% të votave, apo 62.111.