
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com
KQZ njofton se procesi i numërimit të votave po vazhdon në 18 Komuna
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se po vazhdon procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit.
KQZ, më 13.02.2025, njofton se procesi i numërimit ka filluar edhe në Qendrën Komunale të Numërimit në Ferizaj.
“Ndërkaq, për Qendrat e tjera të cilat do të fillojnë procesin e numërimit do të njoftojmë së shpejti.” – thuhet në njoftim.
Më 12.02.2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me qëndrimin se integriteti i votës nuk është cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.
KQZ ka njoftuar se i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë për Zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.