KQZ njofton se cilat parti aplikuan deri më tani për pjesëmarrje në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më tani ka pranuar shtatë aplikime nga subjektet politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të KQZ-së, subjektet politike të cilat kanë aplikuar janë: Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PRBK), me 27 kandidatë, Jedinstvena Goranska Partija (JGP), me 13 kandidatë për deputetë, Srpsa Lista me 17 kandidatë për deputetë, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës me 13 kandidatë për deputetë, Gradjanska Iniciativa Gore (GIG) me 6 kandidatë për deputetë, Samostalna Liberalna Stranka (SLS), me 13 kandidatë për deputetë, dhe Nova Demokratska Stanka  (NDS) me 60  kandidatë për deputetë.

Sot është dita e fundit kur partitë politike dhe koalicionet duhet t’i dërgojnë listat finale me kandidatet për deputetë të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjet e 6 tetorit.

Zgjedhjet për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor. Deri te mbajta e parakohshme e zgjedhjeve erdhi pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.