KQZ: Në Podujevë votuan 40.51% e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur pjesëmarrjen në votime të qytetarëve në Komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut, pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se procesi i sotmën zgjedhor është zhvilluar pa probleme.

“Këtë e tregon më së miri edhe numri i vogël i rasteve që janë paraqitur në Dhomën Operative të KQZ-së, vetëm 6 gjatë gjithë ditës, e të cilat janë raste që nuk cënojnë integritetin e zgjedhjeve”, tha ajo.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në komunën e Podujevës kanë votuar 40.51% e votuesve.

“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, në procesin e sotëm zgjedhor kanë votuar 40.51% e votuesve 35 mijë e 400 nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 40 mijë e 162 votues apo 47.7%”, tha Daka.

Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, kanë votuar 39.14% e votuesve, apo 9 mijë e 124 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre.

“Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 269 votues apo 37.9%”, theksoi kryetarja e KQZ-së.