Foto: Kallxo.com

KQZ nderon viktimat e tërmetit në Shqipëri, mban një minutë heshtje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave pas tërmetit që ka goditur Shqipërinë në mëngjesin e së martës.

KQZ në mbledhjen e sotme pritet të shqyrtojë dhe miratojë rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Shqyrtimi dhe miratimi i certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të datës 6 tetor 2019”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Mbledhja mbahet sot në ora 16:00 në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka qenë ndër objektet me vëmendjen më të madhe publike javëve të fundit, që nga dita kur votuesit kosovarë dolën para kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend për mandatin e ardhshëm.

Kanë kaluar më shumë afër dy muaj nga dita e zgjedhjeve, por procesi zgjedhor u stërzgjat si pasojë e gabimeve në numërim të cilat çuan në ankesa të shumta nga subjektet politike dhe kandidatët në garë drejt Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme.

Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i shqyrtoi ankesat e tyre, më 11 nëntor vendosi pro, kështu duke marrë vendim që të rinumërohen mbi 1,400 vendvotime dhe duke e mjegulluar edhe më tej rrugën drejt formimit të institucioneve të reja të vendit.