Ilustrim

KQZ ndan mbi 5,600 euro për formularët për zgjedhjet në Podujevë

Furnizimi me formularë për zgjedhjet në Komunën e Podujevës, KQZ-së do t’i kushtojnë mbi 5,600 euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka realizuar aktivitetin e prokurimit për “Format zgjedhore (formularët zgjedhorë) për zgjedhjet për Kryetar Komune në Podujevë”.

Për këtë tender, ky institucion i zgjedhjeve ka parashikuar kontratë në vlerë deri në 5,780 euro.

KQZ kishte përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me kriter çmimin më të ulët.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, furnizimin me formular për KQZ-në do ta realizojë kompania “Blendi”  me çmim të kontratës prej 5,626.80 euro.

Komuna e Podujevës do të shkojë në zgjedhje pasi kryetari i deritashëm i kësaj komune, Agim Veliu, është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Në garë për kryetar të komunës janë tre kandidatë: Mexhmi Rudari (LDK), Shpejtim Bulliqi (LVV) dhe Naim Fetahu (PDK).

Zgjedhjet do të mbahen më 15 mars ndërsa mandati i kryetarit të zgjedhur do të jetë deri në vjeshtë të vitit 2021.