KQZ miraton rolin 'këshillëdhënës' të OSBE-së në veri në ditën e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e 30-të të rregullt me shtatë vota ‘për’ ka votuar për angazhimin eMisionit të OSBE-së me mision si në zgjedhjet e fundit, me rol këshillëdhënës në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

“Roli i OSBE në zgjedhjet në veri ka qenë në formën e këshilldhënies”, tha kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

Sipas saj, me të njëjtin rol mund të jetë përsëri OSBE në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ndërsa, anëtarja e KQZ-së nga VV, Nazile Bala, u pajtua që roli i OSBE-së të jetë i njëjtë si në zgjedhjet e fundit nacionale.

“KQZ është i vetmi organ që organizon zgjedhjet, mbështes që OSBE të ketë rol mbështetës”, tha ajo.

Me këtë angazhim të OSBE-së u pajtua edhe Ilir Gashi i PDK-së.

Me 7 vota për u aprovua që OSBE të ketë rolin e njëjtë si në zgjedhjet e kaluara.