Foto: TV21

KQZ merr vendim t’i zhvendosë në QNR votat e diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas dyshimeve për helmim të votave nga Serbia, ka marrë vendim që t’i zhvendosë ato të diasporës nga ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme pas ngjarjeve të sotme.

“Pas ngjarjes së sotme KQZ-ja në një mbledhje të jashtëzakonshme, të mbyllur për arsye të hetimeve, kam marr vendim që votat të cilat janë vlerësuar, pra votat nga diaspora të cilat kanë qenë në hapësirën e cila tashmë është e mbyllur nga njësiti i Policisë Speciale, ka vendos që këto vota, nesër në përcjellje të policisë të transferohen në QNR meqenëse ato nuk janë objekt i hetimit”, tha Daka.

Sipas saj, këto vota do të dërgohen ashtu si është paraparë me plan operacional në QNR dhe atje do të procedohen pastaj sipas procedurave të tjera.

“Bëhet fjalë për diku 15 mijë e 500 zarfe, tash saktësisht nuk e di. Janë zarfe, nuk e dimë se a janë të gjitha vota apo jo, por janë ato që janë vlerësuar, janë verifikuar dhe të cilat tani dërgohen në QNR, për numërim atëherë kur parashihet me procedura”, ka thënë kryetarja e KQZ-së.

Ajo ka shtuar se zarfet të cilat dyshohen se ka ndonjë materie të rrezikshme, do të mbesin në hapësirën ku janë për t’u hetuar dhe ekzaminuar.

“Pasi të kryhen hetimet, të vlerësohet se a janë të rrezikshme apo për shëndetin e njerëzve, pastaj do të vazhdohet sipas procedurave”, tha Daka.

Qendra për verifikimin e votave për zgjedhjet e 6 tetorit u përfshi në një incident këtë të diel, sapo nisi hapja e zarfeve të cilat janë dërguar në Kosovë nga Serbia.

Hapja e pakove u shkaktoi alergji dhe temperaturë verifikuesve të votave, duke ua vështirësuar edhe frymëmarrjen.

Lidhur me tërë ngjarjen e sotme në këtë qendër numërimi, monitoruesja e KALLXO.com, Ardita Zeqiri, rrëfen detajet se si erdhi deri te përkeqësimi i gjendjes së verifikuesve të votave sapo kishin hapur zarfet të cilat kanë ardhur nga Serbia.