KQZ merr vendim për zëvendësimin e deputetëve që kaluan në ekzekutiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për plotësimin e ulëseve të zbrazëta të cilat kanë mbetur në Kuvendin e Kosovës për shkak të kalimit të deputetëve në ekzekutiv.

Nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës, Visar Hoti të zëvendësojë Driton Selmanaj, Ismet Beqiri të zëvendësojë Arban Abrashin dhe Faton Bislimi të zëvendësojë Armend Zemajn.

Nga subjekti politik Nisma Socialdemokrate – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë Arbëreshë Krasniqi të zëvendësojë Albulena Balaj – Halimajn.

LDK-ja ka formuar qeverinë në partneritet me AAK, Nisma, Lista Serbe si dhe disa deputet nga komunitet jo shumicë. Mirëpo grupi parlamentar i Listës Serbe dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë pësuar ndryshime.

Me 3 qershor deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar qeverinë e re të vendit të koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Për qeverinë e re kanë votuar 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Në votim morën pjesë 86 deputetë.

Votimi i qeverisë së re, i ka lënë jashtë Kuvendit disa nga njerëzit më të votuar në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e 7-ta nuk do t’i ketë 5 nga njerëzit më të votuar të partisë.

Ndërsa pjesë e grupit parlamentar të LDK- së nuk do të jetë kandidati i  katërti më i votuar i LDK-së Lumir Abdixhiku i cili në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 29,531 vota.

Ish-kryeministri, Albin Kurti, ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi, ish-ministrat Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu e Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje si dhe ish-ministri Lumir Abdixhiku nuk do të kenë mundësi të jenë pjesë e legjislativit pas votimit të qeverisë Hoti.

Kjo për shkak se nuk kanë mundësi të rikthimit në pozitën e deputetit, pasi që në momentin e votimit si ministra më 3 shkurt kanë humbur mandatin si deputet.