Foto; KALLXO.com

KQZ më 30 dhjetor hap aplikimin për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet e 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka ftuar të gjitha subjektet politike, organizatat joqeveritare, qeveritare, ndërqeveritare, ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mediat vendore dhe ndërkombëtare, që të aplikojnë për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet që do të mbahen më 09.02.2025.

Sipas njoftimit të KQZ, subjektet politike kanë kohë që të aplikojnë nga data 30.12.2024 deri më 04.02.2025.

Kurse, organizatat joqeveritare, qeveritare, ndërqeveritare, ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja mund të aplikojnë nga data 30.12.2024 deri më 25.01.2025.

Dhe mediat vendore dhe ndërkombëtare mund të aplikojnë gjatë periudhës 30.12.2024 – 04.02.2025.

KQZ ka bashkëngjitur edhe linkun në të cilin ndodhen udhëzimet dhe dokumentacioni i nevojshëm për aplikim: https://kqz-ks.org/…/akreditimi-i-vezhguesve-te…/

“Vetëm vëzhguesit e akredituar nga KQZ do të lejohen të monitorojnë zgjedhjet dhe aktivitetet që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve” – ka theksuar KZQ më 27.12.2024.