KQZ kontrakton rreth 12 mijë euro mjete mbrojtëse për zgjedhjet e së dielës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përmes platformës zyrtare të prokurimit “e-prokurimi” ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratë për t’u furnizuar me mjete mbrojtëse kundër virusit COVID-19, për zgjedhjet e jashtëzakonshme në dy komunat e vendit.

Për tenderi me titull “Furnizim me dezinfektues, maska, doreza për Zgjedhjet për Kryetar Komune Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut”, KQZ përdori procedurën e negociuar të prokurimit pa publikim të njoftimit për kontratë me kriter të dhënies së kontratës, çmimi më i ulët.

Për të realizuar këtë furnizim, KQZ parashikoi vlerë të kontratës deri 18,358 euro.

Ky aktivitet i prokurimit rezultoi me dhënie të kontratës për kompaninë “Ilir A. Shala B.I”, me vlerë të përgjithshme të kontratës 11,707.48 euro.

Me datën 20 të muaji tetor, ish presidenti Thaçi ka shpallur datën 29 nëntor si datë për organizimin e zgjedhjeve në të jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Podujevës dhe për kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Komuna e Podujevës shkon në zgjedhje pasi që ish kryetari i kësaj komune, Agim Veliu kaloi në ekzekutivin e vendit duke u bërë ministër i Punëve të Brendshme në kohën e Qeverisë Kurti me 4 shkurt, ndërsa Komuna e Mitrovicës së Veriut shkon në zgjedhje pasi kjo komunë ish kryetari i kësaj komune, Goran Rakiq mori dy pozita në Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti atë të zëvendës kryeministrit dhe të ministrit në Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Javën e kaluar, KALLXO.com raportoi se ka siguruar fomularët pët këto zgjedhje.

Gjithashtu janë kontraktuar edhe kompani nga Sllovenia të cilat do të kujdesen për shtypjen e fletëvotimeve.