KQZ ka pranuar mbi 2 mijë e 100 aplikacione për regjistrim si votues jashtë vendit

Deri më 18 gusht, të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi për KALLXO.com.

Ai tha se edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë.

Deri më tani, kur kanë mbetur edhe 2 javë deri tek përfundimi i afatit për aplikim për të votuar nga jashtë, kanë aplikuar 2 mijë e 101 persona.

“Sipas të dhënave nga shërbimi votues, deri më 3 gusht, janë pranuar 2,101 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 1,960, ndërsa 141 të tjera jo pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike. Edhe për këto raste, shërbimi votues i ka njoftuar për dokumentet që duhet t’i dërgojnë në mënyrë që t’iu aprovohet kërkesa për regjistrim si votues jashtë Kosovës”, tha Elezi.

Sipas tij, të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila fillon më 15 shtator, ndërsa fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 15 tetor 2021.

Në zgjedhjet qendrore të vitit 2021, numri i përgjithshëm i aplikacioneve të dërguara ishte 130 mijë e 168, ndërsa numri i votuesve të regjistruar të aprovuar për të votuar përmes postës ishte 102 mijë e 100.

Kurse, në zgjedhjet lokale të vitit 2017 numri i përgjithshëm i aplikacioneve të pranuara ishte 11 mijë e 813, ndërsa numri i votuesve të regjistruar të aprovuar përmes postës ishin 10 mijë e 476.