Zgjedhjet Qendrore 2021, KQZ, kutia e votimeve

KQZ ka nisur verifikimin e kandidatëve për kryetar dhe asamble

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka nis procesi i verifikimit për të gjithë kandidatët për kryetar komune dhe kandidatëve për asambletë komunale.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se deri më tani janë dërguar në institucionet përgjegjëse për verifikim 3 mijë e 205 emra, kandidat për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Ndërsa, sipas tij, edhe 2 mijë emra të tjerë do të dërgohen së shpejti.

“Këto shkresa janë dërguar në institucione të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtës dhe Dogana e Kosovës”, ka thënë Elezi të premten para gazetarëve.

Sipas tij, secili institucion do të bëjë verifikimin sipas fushës së vetë të përgjegjësisë.

“Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-së, është planifikuar që deri më 23 gusht të përfundojë procesi i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve. Po sipas planit operacional, do të presim përgjigje nga këto institucione më së largu deri më 24 gusht”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së.

Në rast të mos certifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator.