Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ jep tender mbi 184 mijë euro për fletëvotimet e zgjedhjeve të 14 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovës (KQZ), ka nisur procedurat tenderuese për t`u bërë gati për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të datës 14 shkurt 2021.

KQZ ditë më parë bëri të ditur se për shtypjen e fletëvotimeve dhe broshurave iu është dhënë kontrata grupit të operatorëve ekonomikë “Cetis d.d; CETKOS L.L.C.”, nga Sllovenia, me vlerë të përgjithshme të kontratës 184,081.00 euro.

Për realizimin e këtij aktiviteti të prokurimit me titull “Shtypja e fletëvotimeve dhe broshurave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2021”, KQZ kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë deri në vlerë 185,500.00 euro.

Për këtë tender, KQZ përdori procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, me kriter të dhënies së kontratës çmimi më i ulët.

Në bazë të Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik, procedura e negociuar pa publikim të njoftim për kontratë, është procedurë e jashtëzakonshme dhe shmangie prej parimeve themelore të çiltërsisë, transparencës dhe konkurrencës.

Me kontratë prej 3,358 euro, kompania në fjalë kishte shtypur fletëvotimet edhe për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, e mbajtuar më 29 nëntor të vitit të kaluar, pasi që kryetari i kësaj komune Goran Rakiq ishte emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës. Më vonë Qeveria Hoti u shkarkua me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Me datën 21 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim lidhur me ankesën e Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjen e Qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin.

Kushtetuesja kishte vendosur anulimin e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, duke urdhëruar kështu edhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda 40 ditëve.