QNR, Foto: KALLXO.com

KQZ: Javën e ardhshme priten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi tha se në fillim të javës së ardhshme KQZ-ja pritet të dalë me rezultate përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët.

Elezi shtoi se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve për të cilat ka vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Deri më tani janë rinumëruar 15% apo 76 vendvotime nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre dhe që u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës. Arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime)”, tha Elezi.

Elezi tutje tha se gjithashtu se në këtë qendër, KQZ-ja  është duke vijuar procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 25 mijë e 153 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime dhe 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara”, tha Elezi.

Sipas tij, arsyet e mos aprovimit të disa votave nga jashtë  janë të ndryshme.

“5 mijë e 78 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 3 mijë e 836 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 908 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 1 mijë e 551 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 467 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”, tha zëdhënësi i KQZ-së.