
KQZ: Janë numëruar votat e 78% vendvotimeve për kandidatët për deputetë, nuk dihet data e publikimit të rezultateve preliminare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se deri në orën 16:00 të ditës së sotme, 18.02.2025, janë numëruar rreth 78% e vendvotimeve për kandidatët për deputetë të zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025.
“KQZ njofton se deri më 18 shkurt, në orën 16:00, janë numëruar rreth 78% e vendvotimeve apo rreth 1,970 nga 2,533 sosh”- tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Gjithashtu, KQZ njoftoi se është duke vazhduar edhe vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës (votimi përmes postës).
Elezi njoftoi se janë vlerësuar 28 mijë e 99 pako që kanë ardhur nga jashtë vendit.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më tani, 18 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 28,099 pako, prej të cilave janë aprovuar 26,013, ndërkaq janë refuzuar 2,057”- ka njoftuar KQZ.
Sipas, Elezit arsyeja pse janë refuzuar këto dërgesa nga jashtë vendit është se “ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë”.
Tutje, zëdhënësi tha se brenda pak ditësh pritet të dalin rezultatet preliminare për kandidatët e subjekteve politike, mirëpo pa dhenë një datë specifike për këtë.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 09.02.2025.
Ndërsa, sipas rezultateve ende preliminare të publikuara nga KQZ pas numërimit të 99.72% të votave për subjektet politike, Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.84% apo 341 mijë e 672 vota, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05% apo 184 mijë e 499 vota, Lidhja Demokratike me 17.67% apo 147 mijë e 827 vota, ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka marrë 7.45% apo 62 mijë e 309 vota.