Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ-ja vazhdon përgatitjet për zgjedhjet në veri të Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vazhduar të shtunën përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, mes thirrjeve nga ndërkombëtarët për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.

Diskutimet për shtyrjen e zgjedhjeve vijnë pas disa incidenteve në veri të Kosovës, që kishin për cak edhe zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Ato incidente janë vlerësuar si “sulme terroriste” nga autoritetet, teksa është rritur prania policore në këtë pjesë të Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, për shkak të incidenteve në veri.

Por, në mbledhjen e KQZ-së u theksua se nuk është në kompetencën e këtij organi të rekomandojë shtyrjen e zgjedhjeve dhe për këtë arsye u tha se po vazhdohet me përgatitjet për to.

“Mirë që u qartësua edhe një herë për zyrtarët e lartë komunal, në këtë rast të KQZ-së, që kanë shprehur se vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre dhe kanë gatishmërinë për të shkuar në secilën komunë për të administruar këtë proces zgjedhor”, tha Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Gjatë mbledhjes u vendos, me 11 vota për dhe asnjë kundër, që të shtyhet afati për nominimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve (KVV) deri më 13 dhjetor. Sipas KZQ-së, kjo shtyrje nuk ndikon në proces.

“Sigurisht që sulmet e këtyre bandave kriminale në veri kanë ndikuar në hezitimin e njerëzve që të aplikojnë për pozitat dhe ne duhet t’i përshtatemi rrethanave të reja”, tha Alim Rama, anëtar i KQZ-së i emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa sa i përket raportit të dërguar tek presidentja Vjosa Osmani, KQZ-ja tha se vetëm e ka informuar atë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por nuk është dhënë rekomandime.

Si pjesë e përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, u vendos që të certifikohen 14 kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje për Kuvendin Komunal në Komunën e Leposaviqit dhe të përditësohen broshurat për zgjedhje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë shpallur pas dorëheqjes së kryetarëve, nga radhët e Listës Serbe.

Dorëheqjet e zyrtarëve të kësaj partie erdhën në fillim të nëntorit si shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale, të lëshuara nga Serbia./REL