Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com

KQZ thotë se janë numëruar votat e 386 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se janë numëruar votat për 386 vendvotime.

Në Qendrat Komunale të Numërimit bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike dhe numërimi i votave për kandidatët për deputetë.

“Nga të dhënat që kemi pranuar nga Qendrat Komunale të Numërimit, në 26 Komuna (4 prej të cilave filluan numërimin më 11 shkurt, 14 të tjera pasditen e 12 shkurtit dhe 8, më 13 shkurt) deri më 13 shkurt janë numëruar 386 vendvotime.” – thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Në Komunën e Prishtinës, Lipjanit, Obiliqit dhe Parteshit numërimi ka filluar më 11.02.2025.

Një ditë më vonë, më 12.02.2025, numërimi ka nisur në: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit.

Ndërsa, në Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik numërimi ka nisur më 13.02.2025 – sipas KQZ-së.

Ndërkohë që nëpër Komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, në disa raste procesi është përcjellur me telashe teknike që nga dita e Zgjedhjeve, më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.

Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një Raporti përfundimtar nga institucionet e Sigurisë.

Kurse, presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.

Sipas përditësimit të fundit, të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.

Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.