Foto; KALLXO.com

KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe për Zgjedhjet e 9 Shkurtit 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Partinë më të madhe të serbëve në Kosovë “Listën Serbe” për pjesëmarrje në Zgjedhjet e ardhshme Parlamentare, të cilat do të mbahen në Kosovë, më 09.02.2025.

Pas votimeve, me 2 vota për, 2 kundër dhe të të tjerëve anëtarë për mospjesëmarrje në votim, moscertifikimin e LS-së e konstatoi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Nuk kalon rekomandimi i Zyrës për certifikimin e Listës Serbe.” – tha Radoniqi në mbledhjen e KQZ-së, më 23.12.2024.

Vendimi u mor pasi u vlerësua nga ana e disa anëtarëve në KQZ, se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek – gjatë prezantimit të Listës zgjedhore të këtij subjekti politik.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi tregoi arsyen pse e kundështoi votimin për certifikim të LS-së.

“Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, në deklaratën e tij, nuk e përmend askund Kosovën, thotë ‘rroftë Serbia’, unë nuk mund ta votojë këtë Parti. Po e lëshoj fjalimin e udhëheqësit të Listës Serbe, edhe dëgjojeni.” – deklaroi Kurteshi.

Ai në mbledhjen e KQZ-së lëshoi një deklaratë të bartësit të Listës Serbe. Tutje, ai shtoi se Lista Serbe “ka kërcënuar serbët e tjerë që marrin pjesë në Zgjedhje.”

“Ky subjekt është bërë strofull e terroristëve.” – shtoi Kurteshi.

Ndërsa, anëtari tjetër i KQZ-së nga LVV-ja, Alban Krasniqi thotë se audio-incizimo “paraqet mosdurim dhe urretje.”

“Prokuroria duhet të hetoijë veprimet e Listës Serbe. Ishte një video e qartë, që tregon mosdurimin dhe urrejtjen. Prokuroria le të marrë hapat e saj. Zyra bën verifikim procedural dhe formal, s’e di a janë marrë me këtë video. Ne e dijmë ku qëndron Lista Serbe, prej kur me dhunë e shantazh KQZ e ka futur në Listë të subjekteve dhe me dhunë e shantazh i ka fituar të gjitha mandatet. Duhet të pranojmë që KQZ ka pasë kontroll 0 (zero) në katër Komunat veriore.” – deklaroi Krasniqi.

Kurse, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani dha arsyetimin e tij për siç tha ai paraprakisht “abstenim në votim”.

“Shqetësimet i ndajmë të gjithë, por kjo Listë ka marrë rekomandim nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim. Unë do të abstenoj. Të gjithë e dimë kush është Lista Serbe, por është mirë që institucionet të na tregojnë me dokumente, me letra. Nëse ata pjesëtarë janë pjesë e akteve terroriste, Ministria e Punëve të Brendshme duhet ta trajtojë. Tash duhet të flasë ligji dhe rekomandimet ligjore. Kryetar, ju dhe institucionet, diskutojeni këtë çështje dhe ejani këtu.” – deklaroi Elshani.

Anëtari i KQZ-së, Ilir Gashi, po nga PDK-ja, paraprakisht tha se nuk do të marrë pjesë në votim.

“Nuk është mirë që diçka e tillë të bëhet mollë sherri, dihet që ligjërisht edhe nëse nuk certifikohet sot, kjo Listë certifikohet, sepse Zyra për Regjistrim ka thënë që i plotëson kriteret. Ne shqetësimet i ndajmë dhe i dimë, por asnjë institucion nuk ka marrë hapa që ta provojë se kjo Listë si e tillë ka ndërmarrë veprime terroriste. Nuk do të marrë as unë pjesë në votim.” – deklaroi Gashi.

Tutje, gjatë mbledhjes, KQZ-ja ka certifikuar grupin e dytë të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet e 09.02.2025 – krahas certifikimit të grupit të parë, i cili u bë më 18.12.2024.

Në mbledhjen e sotme në KQZ, u rekomandua certifikimi i grupit të dytë prej 17 subjekteve politike, me gjithsej 674 kandidatë për deputetë.

Në këtë grup për certifikim ishin edhe koalicioni AAK-Nisma-Lista Konservatore-Grupi Intelektual E30 dhe Lista Serbe.

Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike tha se kanë përfunduar aplikimin koalicioni, AAK.

“Del se kandidatët janë në përputhje me ligjin, rekomandojmë certifikimin e subjektit dhe kandidatëve për deputetë.” – deklaroi Buzhala.

Ky subjekt ka kandiduar me 110 kandidatë për deputetë.

Përveç Listës Serbe, subjektet e tjera politike dhe kandidatët e tjerë u certifikuan nga KQZ-ja.

626 kandidatë u certifikuan nga 16 subjekte politike, në grupin e dytë të certifikimit.