KQZ-ja ndanë 4.2 milionë euro për subjektet parlamentare për vitin 2023

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë 4 milionë e 200 mijë euro për subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për vititn 2023.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, duke thënë se këto mjete ndahen duke u mbështetur në ligjin për financimin e subjekteve politike si dhe në rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur më 14 shkurt 2021.

“KQZ-ja, duke u mbështetur në ligjin për financimin e subjekteve politike si dhe në rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur më 14 shkurt 2021, mori vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023” – tha Elezi.

Sipas tij vlera e përgjithshme e fondit është 4 milionë e 200 mijë euro.

“Shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme: 4,200,000.00€”- shtoi Elezi.

Vlerën më të madhe prej 1 milion e 827 mijë euro e merr Lëvizja Vetëvendosje e cila është përfaqësuar me 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.