Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ: Fushata për zgjedhjet e 17 tetorit nis më 16 shtator

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 17 tetor.

Vendimi vlen për subjektet politike të cilat do të certifikohen nga KQZ-ja për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Periudha e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale fillon më 16 shtator dhe përfundon më 15 tetor.

Sipas vendimit të KQZ-së, kufiri i sipërm i shpenzimeve është në shumën: 950 mijë e 633 euro e 40 centë dhe mbështetet në listën jopërfundimtare të votuesve, e cila përmban: 1 milion e 894 mijë e 254 votues.

Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore të KQZ-së për kufizimin e shpenzimeve të fushatës, kufizimi i shpenzimeve të fushatës për komunat të cilat kanë më shumë se 5 mijë votues është 0.5 euro për votues të regjistruar në komunën përkatëse, ndërsa për komunat të cilat kanë më pak se 5 mijë votues, subjekteve politike ju lejohet të shpenzojnë deri në 0,7 euro për votues të regjistruar në atë komunë.