
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com
KQZ fillon vlerësimin e votave nga diaspora, deri më tani janë përfunduar mbi 8 mijë pako
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka filluar procesin e vlerësimit të votave nga diaspora për Zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 09.02.2025. Deri më tani procesit të vlerësimit i janë nënshtruar 8,776 zarfe apo pako me fletëvotime.
Në mbledhjen e KQZ-së, më 13.02.2025, u tregua se prej numrit të tërësishëm të vlerësuar janë aprovuar 8,247 pako, ndërsa 529 janë refuzuar.
Arsyet se pse janë refuzuar këto fletëvotime, sipas KQZ-së, janë të ndryshme.
395 janë anuluar gjatë regjistrimit: 34 për shkak se kanë pasur më shumë se një fletëvotim brenda zarfit, 5 të tjera për shkak se u ka munguar vula/pulla postare, 16 për shkak e ka figuruar shteti i ndryshëm i dërgimit të zarfit nga shteti ku votuesi është regjistruar, 50 për shkak të dëftesës pa fletëvotim dhe 29 për shkak se ka dërguar zarfin me fletëvotim më shumë se një herë – janë këto arsyet e KQZ-së.
Sipas KQZ-së, gjatë periudhës së votimit përmes postës janë pranuar 68,712 pako me fletëvotime, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar për votim përmes postës ishte 84,600.
“Në përfundim të vlerësimit të këtyre pakove do të dihet saktë se sa është numri i pakove me fletëvotime të cilat do t’i nënshtrohen numërimit.” – u njoftua gjatë mbledhjes.
Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshin verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat e tjera të parapara, ndërkaq me vonë sipas KQZ-së do të bëhet numërimi i këtyre fletëvotimeve; do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Të dhënat e KQZ-së thonë se në përgjithësi numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104,924, prej të cilëve 20,324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, por votuan vetëm 15,352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.
Ndërkohë nëpër Komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, ndonëse procesi po përcillet me telashe teknike që nga e diela, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.
Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një Raporti përfundimtar nga institucionet e Sigurisë.
Kurse, presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucionalë për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.
Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.