KQZ-ja certifikon dy kandidatë të pavarur, ndërsa iniciativës Lidhja e Re i kërkohet ta ndryshoj emrin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot ka certifikuar dy kandidat të pavarur, Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në Kaçanik dhe kandidati i pavarur Agim Gjeli ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Fushë Kosovë.

Kurse është tërhequr nga rekomandimi për certifikim Iniciativa Qytetare Lidhja e Re e cila ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj.

Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Florian Dushi, ka kërkuar që Iniciativa Qytetare Lidhja e Re, mos të certifikohet me këtë emër për shkak të ngjashmërisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Kjo iniciativë nuk duhet të certifikohet me këtë emër. Për shkak të ngjashmërisë. Është i ngjashëm me Lidhjen Demokratike”, tha ai.

Ylli Buleshkaj, nga sekretariati i KQZ-së tha se mund ta tërheqin si rekomandim.

“Ligji e mundëson me ndërruar emrin… Mund ta tërheqi duke ju dhënë një afat shtesë për ta ndërru emrin”, tha Buleshkaj.

Ditë më parë, iniciativa Lidhja e Re, kishte aplikuar për regjistrim me emrin “Ne guxojmë”, por ky emër nuk ishte pranuar nga KQZ, për shkak të ngjashmërisë me Lista Guxo.

Ndërkaq është duke vazhduar periudha e aplikimit të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Kjo periudhë përfundon më 16 gusht.

Sipas KQZ-së, deri tani kanw pranuar 8 aplikime të subjekteve politike, prej tyre 5 iniciativa qytetare, 1 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur.

Subjektet që kanë aplikuar deri më tani janë:

  1. Partia politike Lëvizja Qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Gjilan;
  2. Kandidati i pavarur Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në Kaçanik;
  3. Iniciativa Qytetare Lista Guxo ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj;
  4. Iniciativa Qytetare Lidhja e Re ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj;
  5. Kandidati i pavarur Agim Gjeli ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Fushë Kosovë;
  6. Iniciativa Qytetare Bashkë për Istogun ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Istog;
  7. Iniciativa Qytetare për Obiliq, ka aplikuar për certifikim për Kuvend Komunal dhe Kryetar të Komunës në komunën e Obiliqit; dhe
  8. Iniciativa Qytetare Bashkë për Shtërpcë, ka aplikuar për certifikim për Kuvend Komunal dhe Kryetar të Komunës në komunën e Shtërpcës.