KQZ i mbyll sytë për skandalin me fletëvotime në Runik të Skenderajt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me 6 vota pro dhe 3 abstenime ka kaluar rekomandimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve që të hyjnë në rezultatet përfundimtare votat e një vendvotimi në Runik të Skenderajt.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, tha se këto fletëvotime në vendvotimin 2114B/01R në Skënderaj duhet të procesohen nga KQZ-ja dhe të hyjnë në rezultatet përfundimtare.

Sipas tij i gjithë procesi ka shkuar në rregull, mirëpo mungojnë 450 fletëvotimet e papërdorura.

“KQZ-ja ka marrë vendim që ky vendvotim të rinumërohet për një votë të vetme, është gjetur që në kuti janë 300 fletëvotime të përdorura dhe mungojnë 450 fletëvotime të papërdorura”, tha ai.

Tutje Ahmetaj dha më shumë detaje se kur është bërë raportimi i humbjes së fletëvotimeve në këtë qendër.

“Raportimi për humbjen e fletëvotimeve të papërdorura është bërë në ora 18:40, 20 minuta para se procesi i votimit të mbyllet dhe në orën 19:00 kur edhe mbyllet zyrtarisht procesi i votimit, brenda kutisë së votimit kanë mbetur fletëvotimet e përdorura, ndërsa jashtë kutisë së votimit dhe jashtë vendvotimit kanë mbetur fletëvotimet e papërdorura”, tha ai.

Tutje Ahmetaj tregoi rekomandimet e QNR-së për këtë vendvotim duke shtuar se rekomandimet nuk e cenojnë renditje e subjekteve dhe nuk ka efekt në numrin e mandateve të Subjekteve.

“ Për Vendvotimin 2114B/01R të cilit i mungojnë fletëvotimet e papërdorura dhe toleranca +/-3 tejkalohet deri në 450 (rubrikat në FPR për shkak të mungesës së fletëvotimeve të papërdorura, Rekomandohet KQZ që të rritet niveli i tolerancës në 450 vetëm për vendvotimin 2114B/01R në mënyrë që votat e rregullta mbrenda kutisë së votimit të votuesve të rregullt të cilat janë të shpërndara për Subjekte dhe Kandidat dhe të cilat nuk kanë mospërputhje të përfshihen në rezultatet përfundimtare”, tha ai.

KQZ vendos që të rinumërohen edhe 3 vendvotime

.