KQZ - 24.04.2019

KQZ i dërgon në Prokurori dallaveret në votimet e vitit 2017

Të gjitha parregullsitë në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në qershor të vitit 2017 do të adresohen në Prokurorinë e shtetit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Anëtari i KQZ-së nga LDK, Florian Dushi, ka thënë se është e rëndësishme që të adresohen shkeljet në zgjedhjet e fund në mënyrë që të kemi zgjedhje të mira në të ardhmen.

“Andaj, Këshilli për Çështje Ligjore i rekomandon KQZ-së, që ta aprovojë kërkesën për të njoftuar organet, Prokurorinë e Shtetit në këtë rast, për shkeljet, manipulimet dhe abuzimet që janë konstatuar në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve gjatë zgjedhjeve të fundit [Parlamentare] të vitit 2017”, tha ai.

Ai ka treguar edhe shkeljet të cilat janë evidentuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

“Rreth 538 vendvotime janë rinumëruar për shkak të mos përputhjeve të votave të kandidatëve  në formularët e kandidateve  për Kuvendin e Kosovës. Arsyet janë pasqyruar edhe në raportet e auditimit se përse formularët e rezultateve  të caktuara nuk mund të kalojnë auditimin për arsye të ndryshme: Subjekti ka vota ndërsa kandidatët nuk kanë vota, subjekti nuk ka vota ndërsa kandidatët kanë vota, kandidati ka më shumë vota sesa subjekti politik apo të gjithë kandidatët brenda një subjekti politik kanë më shumë vota sesa vetë subjekti”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e KQZ-së Valdete kërkoi që edhe personat të cilët kanë votuar më shumë se një herë të adresohen për në Prokurori.

“Ndoshta nuk është ndonjë numër i madh, mirëpo ka, ne i kemi të dhënat dhe kjo përbën vetvetiu vepër penale”, deklaroi ajo.

Kjo kërkesë kaloi me shumicë votash, ndërsa gjatë mbledhjes së 26 të KQZ-së u regjistruan edhe tri parti të reja politike.

Iniciativa politike ‘Partia Balliste’ me 8 vota për e një kundër është regjistruar si parti politike. Skenës tonë politike zyrtarisht iu bashkëngjit edhe partia e deputetit Milaim Zeka, Partia Euroatlantike e Kosovës. Ajo kaloi në mbledhjen e 26-të të KQZ-së me 9 vota për.

Partia e tretë e regjistruar në KQZ është Partia Demokratike e Diasporës e përfaqësuar nga Shqipe Islami.

Daka: Jemi të gatshëm t’i organizojmë zgjedhjet

www.kallxo.com